Nëse ato janë të bëra prej ndonjë rruze apo prej ndonjë metali ose diç tjetër atëherë këto janë prej hajmalive që janë të ndaluara. I Dërguari i Allahut i ka ndaluar këto rreptësisht sikur që kanë ardhë për këto shumë hadithe të vërteta. Ndërsa nëse ato janë prej Kuranit sikur që dikush shkruan disa ajete të Kuranit apo disa hadithe dhe i vendos në gjoksin e të sëmurit për shërim apo i vendos në gjoksin e të shëndoshit që të ruhet nga të këqijat, apo i vendos në një shtëpi apo në një veturë. Në këtë gjë dijetarët nuk janë në ujdi. Por ajo çka është më e vërtetë është se këto gjëra nuk lejohen, për disa aspekte:
Aspekti i parë:
Kjo është një risi që nuk ka qenë e njohur tek shokët e të Dërguarit e Allahut
Aspekti i dytë:
Këto gjëra të qojnë deri tek hajmalit e ndaluara. Sepse ai i cili bënë lehtësime në këtë bënë lehtësime pastaj edhe në atë që është e ndaluar rreptësisht.
Aspekti i tretë:
Këto gjëra shkaktojnë nënçmimin e Kuranit sepse njeriu ka mundësi pastaj të futet me to ne ËC, apo ka mundësi ajo të preket me pika të urinës e sidomos tek fëmijët.
Gabimi i tretë:
Prej gabimeve të përhapura tek njerëzit është edhe thënja e njeriut pasi të ndodh një gjë që e urren se sikur unë të bëja kështu do të ndodhte kështu e kështu. Një kundërshtim i tillë është i ndaluar. Sepse ky është kundërshtim i caktimit të Allahut. Ndërsa i Dërguari i Allahut ka thënë: “ kujdesu për atë që të bënë dobi dhe kërko ndihmë prej Allahut dhe mos u bë i pa aftë. Nëse të godet diçka mos thuaj sikur të kisha vepruar kështu do të ishte kështu, por thuaj: Caktim i Allahut dhe Ai vepron çka të dojë. Sepse fjala “sikur” hap rrugët e shejtanit ( Muslimi).
Të bësh mjerim për ato gjëra të cilat të kanë kaluar prej çështjeve të kësaj bote është gabim që duhet të ruhemi sepse kjo është kundërshtim i caktimit të Allahut.
Dikush ndoshta ka mundësi të pyes: A do të thotë kjo se përdorimi i shprehjes ‘sikur’ është e ndaluar në të gjitha rastet?
Përgjigjja ndaj kësaj kërkon sqarim:
-
Nëse me shprehjen sikur ka për qëllim vetëm lajmërimin p.sh. kur njeriu thotë sikur të më kishe ardhë do të kisha nderuar. Ose kur personi thotë sikur ta dija për prezencën tënde do të kisha vizituar. Një gjë e tillë është e lejuar sepse kjo ka për qëllim vetëm lajmin.
-
Nëse me shprehjen ‘sikur’ ka për qëllim dëshirën ndaj një gjëje të lejuar. P.sh. të thotë: Sikur të kisha mundësi do ta bëja haxhin, apo sikur të kisha pasuri do të jepja lëmosh. Sikur që na ka treguar i Dërguari i Allahut për dy njerëz për të cilët ka thënë: “ Kjo botë është për katër persona. Pastaj i Dërguari i Allahut përmendi dy njerëz. Një njeriu Allahu i kishte dhënë pasuri dhe ai shpenzonte në rrugën e Allahut dhe një njeriu të cilit Allahu nuk i ka dhënë pasuri por ai thotë: Sikur të kisha pasuri sikur filani do të kisha vepruar sikur ai. I Dërguari i Allahut tha: Ata janë të barabartë në shpërblim” ( i vërtetë Tirmidhiu dhe Ahmedi). Një gjë e tillë është e lejuar dhe e preferuar.
-
Që të sjell mjerim për atë që kaluar, ka ndodh dhe është caktuar. Ky lloj është i ndaluar sikur që e sqaruam më lartë.
Gabimi i katërtë:
Prej gabimeve të përhapura është pesimizmi i disa njerëzve në muajin sefer, gjersa disa njerëz nuk martohen në këtë muaj. Sikur që ka ndaluar këtë i Dërguari i Allahut në hadithe të tij të vërteta. Andaj nuk lejohet që të jemi pesimist në ndonjë ditë apo në ndonjë muaj sepse të gjitha edhe ditët edhe muajt janë prej Allahut.
Gabimi i pestë:
Prej gabimeve të përhapura është edhe optimizmi apo pesimizmi gjatë leximit të Kuranit. Kjo ndodhë që njeriu kur lexon prej Kuranit dhe kalon nëpër ajetet që flasin për të mirë bëhet optimist ndërsa kur lexohen ajete të dënimit apo diçka tjetër atëherë bëhet pesimist. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë dhe shumë nga dijetarët kanë ndaluar për një gjë të tillë.
Gabimi i gjashtë:
Prej gabimeve të përhapura është edhe mbështetja në shkaqe e jo në Allahun. Shumë prej njerëzve mbështetën në shkaqe në mbrojtjen e tyre apo në furnizimin e tyre dhe e harrojnë Atë i Cili i ka krijuar shkaqet. Ja disa shembuj për këtë:
Mbështetja në shkaqe në gjendje të frikës së madhe. Mendojnë se këto shkaqe e ruajnë atë. Veprimi me shkaqe është i lejuar, por mbështetja në to dhe harrimin e Atij i Cili ka krijuar shkaqet kjo është e ndaluar.
Mbështetja e njeriut në punën e tij dhe mendimi dhe bindja e tij se ajo është forma e vetme e përfitimit të furnizimit. Edhe kjo mbështetje nuk është në rregull sepse vendi i punës nuk është tjetër përveçse një formë. Ndërsa rrugët e furnizimit janë të ndryshme dhe janë të llojllojshme.
Mendimi i disa njerëzve se kujdesi ndaj shtëpisë dhe forcimi i shtëpisë e ruan nga armiku. Këto gjithashtu janë vetëm shkaqe ndërsa zemrën njeriu duhet ta lidhë me Atë që i ka krijuar shkaqet. Sunduesit të çdo gjëje.
Mbështetja në shkaqe ka disa gjendje:
E para:
Të shikoj në shkaqe të vërteta të cilat i ka shpikur Allahu në këtë botë. Nëse njeriu shikon në këto shkaqe duke u mbështet në esencë tek Allahu dhe duke besuar se Krijuesi i shkaqeve është Allahu dhe dëshira e Tij duhet të zbatohet, në këtë gjendje nuk ka të keqe që njeriu të merr shkaqet sa të ketë mundësi duke e mbyll derën, duke e ruajtur shtypin por gjithherë duke u mbështet në Allahun.
Gjendja e dytë:
Që të lidhet zemra e njeriut për ndonjë gjë për të cilën nuk ka mundësi ta bëjë vetëm Allahu sikur mendimi i disave se banorët e varreve janë ata të cilët kanë mundësi të ndërmjetësojnë për ndonjë të sëmurë, ose kanë mundësi të ju kryejnë ndonjë nevojë të jetës. Ky është shirk i madh i cili nxjerr njeriun prej fesë.
Gjendja e tretë:
Të mbështetet në ndonjë shkak të lejuar por harron Atë i Cili ka krijuar shkaqet. Edhe ky është një lloj i shirkut por njeriun nuk e nxjerrë nga feja.
Gabimi i shtatë:
Prej gabimeve të përhapura mendimi i disa njerëzve se nuk kanë nevojë për lutje, për dua, duke thënë se për derisa çështja është e caktuar nuk kemi nevojë për lutje. Ky është një gabim shumë i përhapur sepse lutja është njëra prej shkaqeve, ndërsa i Dërguari i Allahut thotë: “ nuk ka mundësi ta kthej caktimin përveç lutja”. Kuptimi i këtij hadithi është se lutja është prej shkaqeve. Ndoshta Allahu largon ndonjë fatkeqësi nga robi i Tij për shkak të lutjes. Apo i sjellë ndonjë të mirë prej furnizimit apo fëmijës për shkak të lutjes. Për këtë i Dërguari i Allahut në hadithin e vërtetë thotë: “ nuk ka ndonjë njeri që nuk ka bërë mëkat apo që nuk ka ndërpre lidhjet farefisnore dhe i lutet Allahut përveçse Allahu do ti jep atij tri gjëra: Ose i përgjigjet lutjes së tij. Ose të ja largoj ndonjë të keqe të ngjashme ose të ja lë atë deri në ditën kur do të dal para Allahut. Shokët i thanë: O i Dërguari i Allahut atëherë le të shpeshtojmë lutjen. I Dërguari i Allahut tha: Allahu ka edhe më shumë”.
Pra lutja është adhurim dhe ne jemi të urdhëruar me lutje. Lutja është njëra prej shkaqeve. Për këtë nëse njeriu thotë se ajo që është e shkruar do të vi, iu luta Allahut apo nuk ju luta ne i themi se edhe lutja jote është e shkruar dhe e caktuar. Atëherë pasi që je urdhëruar me lutje, lute Allahun se ndoshta Allahu ka caktuar që ta largoj ty atë fatkeqësi ose ta sjell një të mirë për shkak të lutjes tënde. Robi i Allahut duhet të shpeshtoj lutjen tek Allahu dhe ta dijë se ai asgjë nuk humb nëse i lutet Allahut. Lutja është adhurim dhe afrim tek Allahu sikur që ka thënë Allahu: Zoti juaj ka thënë: "Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehennem".( gafir 60).
Gabimi i nëntë:
Prej gabime që janë të përhapura gjithashtu është edhe frika e tepruar
Dikush frikohet së tepërmi prej mësyshit sa që çdo kush që e viziton mendon se i ka bë mësysh. Tek disa njerëz kjo është shndërruar në vesvese sa që ka filluar të fshehët prej njerëzve apo ti fsheh fëmijët e tij prej të tjerëve. Kjo është për shkak të dobësimit të mbështetjes në Allahun.
Në lidhje me mësyshin duhet ti sqarojmë dy gjëra:
E para:
Mësyshi është realitet sikur që ka ardhë në hadithe të vërteta, por mësyshi nuk ka mundësi ta kthej caktimin e Allahut e as të ja tejkaloj atij, sikur që mendojnë disa njerëz të cilët kanë frikë të tepruar. Në disa transmetime të Pejgamberit ka ardhë edhe ky hadith: “ mësyshi është realitet dhe sikur diçka të ja tejkalonte caktimit të Allahut do të ja tejkalonte mësyshi. Nëse ju kërkohet pastrimi pastrohuni”.
E dyta:
Po ashtu kemi lutje prej sheriatit që mbrojnë dhe shërojnë nga mësyshi, prej tyre leximi i Kuranit, sikur që ka thënë i Dërguari i Allahut: “ nuk ka rukje përveç prej mësyshit dhe temperaturës”.
