“O Zoti im, bëji atij një shenjë, e cila do ta ndihmojë në bamirësi!”
Tufejl ibnu Amr Ed-devsij ishte prijës i fisit Devs në periudhën paraislame, një prej njerëzve më me autoritet të parisë arabe dhe një nga njerëzit më të ndershëm.
Tek ai, asnjëherë nuk hiqej vorbulla nga zjarri. Dera e shtëpisë së tij nuk mbyllej para mysafirëve. I ushqente të uriturit, i siguronte të frikësuarit dhe i strehonte ata që kërkonin strehim. Përveç kësaj, ai ishte mendjehollë, i zgjuar, poet i ndjeshëm dhe orator.
Një ditë prej ditësh, Tufejli u largua nga vendbanimi, nga Tuhame dhe u nis për në Mekë. Në atë kohë, rrëmuja e lufës ndërmjet Pejgamberit (a.s) dhe jo besimtarëve kurejsh kishte arritur kulmin e saj. Secila palë dëshironte të përfitonte sa më shumë miq dhe aleatë. Pejgamberi (a.s) i lutej Krijuesit të vet. Arma e tij e vetme ishte besimi i vërtetë. Jo besimtarët kurejsh i ishin kundërvënë thirrjes së tij e luftonin me çdo mjet, me çdo mënyrë, që të largonin njerëzit nga feja e tij.
Tufejli u gjet rastësisht në këtë luftë, u gjet i papërgatitur dhe do të hynte në të pa ndonjë qëllim të caktuar. Ai nuk kishte ardhur në Mekë për këtë qëllim e as që i kishte shkuar ndër mend ndonjëherë për konfliktin e mëparshëm midis Muhamedit (a.s) dhe kurejshëve. Në këtë konflikt Tufejli përjetoi një ndodhi, e cila konsiderohet si një nga tregimet më të çuditshme. Tufejli tregon:
“Arrita në Mekë. Kur më panë, paria e Mekës u nis drejt meje. Më nderuan me një mikpritje që nuk mbahet mend. Pastaj, u mblodhën rreth meje më të zgjedhurit e kurejshëve dhe më thanë: “O Tufejl! Ti erdhe në vendin tonë. Ky njeri, që pretendon se është Pejgamber, na ka përçarë dhe na ka prishur me njëri-tjetrin. Ne kemi frikë se mos ndodh edhe me ty, me popullin tënd ajo që na ka ndodhur ne. Kujdes e mos fol me atë njeri! Mos dëgjo prej tij asgjë, sepse ai ka disa fjalë që i ngjajnë magjisë. Ndan fëmijën prej prindit, vëllanë prej vëllait e gruan prej burrit.”
Tufejli pastaj vazhdon e thotë: “Betohem në Allahun, se, për sa kohë më tregonin lajme të çuditshme për të, duke më frikësuar mua dhe popullin tim për veprat e tij të çuditshme, vendosa të mos i afrohem, të mos i flas e të mos dëgjoj prej tij asnjë fjalë. Në mëngjes herët, u zgjova dhe shkova për të bërë tavaf rreth Qabes, që të kërkoja ndihmë nga idhujt e vendosur në të. Para së të nisesha, i mbylla të dy veshët me pambuk, nga frika se mos depërtonin tek unë fjalët e Muhamedit (a.s). Mirëpo, kur hyra në Qabe, e pashë Muhamedin (a.s) duke u falur. Jo vetëm falja, por edhe adhurimi i tij ndryshonte nga falja dhe adhurimi ynë. Pamja e tij më magjepsi dhe mënyra e adhurimit të tij më mahniti. Iu afrova. Deshi Allahu që të arrinte në veshët e mi ajo që thoshte ai. Dëgjova fjalë shumë të bukura dhe thashë me vete: “Medet për ty, o Tufejl! Ti je njeri i mençur dhe poet. Je në gjendje të dallosh të mirën prej së keqes. Çfarë të pengon ty të dëgjosh se ç’thotë ku njeri? Nëse ajo që thotë është e mirë, e pranon e nëse është e keqe, e lë.”
Qëndrova aty derisa Pejgamberi (a.s) u largua dhe u nis për në shtëpinë e vet. U nisa menjëherë pas tij. E arrita në shtëpi dhe i kërkova leje të hyja brenda. Ia fillova bisedës menjëherë dhe i thashë: “O Muhamed! Populli yt më ka thënë për ty kështu e ashtu. Betohem në Allahun se më frikësuan prej teje aq sa i mbylla të dy veshët me pambuk, me qëllim që të mos dëgjoja prej teje asgjë. Mirëpo, deshi Zoti që dëgjova diçka dhe e hetova se është e bukur. Më trego për çështjen tënde!”
Pejgamberi (a.s) i tregoi në detaje dhe i lexoi atij kaptinën “El-Ihlas” dhe “El-Felek”. Tufejli pastaj thotë: “Betohem në Zotin se asnjëherë nuk kam dëgjuar fjalë më të bukura se fjalët e tij dhe as kam parë njeri me parime dhe mësime më të drejta.”
Në atë çast, ia dhashë dorën dhe dëshmova se “nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij”. Kështu hyra në fenë islame.”
Tufejli vazhdon rrëfimin e tij: “Pas kësaj qëndrova një kohë në Mekë, për të mësuar bazat e fesë islame. Mësova përmendësh disa pjesë të Kuranit. Kur vendosa të kthehesha te populli im, i thashë Pejgamberit (a.s): “O i Dërguari i Allahut! Fjala ime ka peshë në fisin tim. Unë do të kthehem te populli im dhe do t’i ftoj ata në fenë islame. Lute Zotin të më japë një shenjë, e cila do të më ndihmojë në thirrjen time.”
Atëherë, Pejgamberi (a.s) tha: “O Zoti im, jepi këtij një shenjë!”
“U nisa për te populli im dhe, kur arrita në një vend të lartë, nga ku dukeshin shtëpitë e tyre, në mes të syve të mi u paraqit një dritë, një si kandil e thashë: “O Zoti im, bëje atë jashtë fytyrës sime, sepse unë kam frikë se ata do të mendojnë se ky është dënim për mua, për shkak të braktisjes së fesë së tyre.”
Posa hyra në shtëpi, hyri babai i shtyrë në moshë dhe i thashë: Largohu prej meje, o baba! Ti nuk je i imi dhe unë nuk jam i yti!”
Babai i habitur ma ktheu: “Përse, o biri im?!”
Iu përgjigja: “Unë jam bërë musliman dhe kam kaluar në fenë e Muhamedit (a.s).”
Babai ma ktheu: “Hajde tani, biri im! Feja jote është edhe feja ime.”
Atëherë i thashë: “Shko lahu, pastroji rrobat e tua dhe pastaj eja tek unë që të ta mësoj atë që kam mësuar.”
Babai shkoi dhe u pastrua, i pastroi rrobat e veta dhe pastaj erdhi. Ia paraqita fenë islame dhe e pranoi. Pas tij, erdhi gruaja ime, të cilës i thashë: Largohu prej meje, sepse nuk jam i yti e as ti nuk je e imja!
Gruaja e habitur ma ktheu: “Pse?! Të betohem në babanë dhe nënën time?!”
Iu përgjigja: “Na ka ndarë feja islame. Unë kam pranuar Islamin, fenë e Muhamedit.”
Atëherë ajo tha: “Feja jote është edhe feja ime!”
I thashë: “Shko, pastrohu prej ujit të Dhish-sheras!”
(Dhish-Shera ishtë një idhull i posaçëm për fisin Devs, rreth të cilit zbriste uji nga kodra.) Gruaja e habitur ma ktheu: “Të betohem në babanë dhe nënën time! Mos u ndodh fëmijëve ndonjë gjë e keqe nga Dhush-shera?”
Ia ktheva me hidhërim: “Medet për ty dhe për Dhush-sheran! Të thashë, shko dhe pastrohu atje, larg prej syve të njerëzve e unë të garantoj se ai gur i shurdhët nuk është në gjendje të të bëjë asgjë.”
Shkoi dhe u pastrua. Pastaj u kthye. Ia paraqita asaj fenë islame dhe e pranoi. Pastaj thirra fisin tim. Devs, po ata ngurruan t’i përgjigjeshin thirrjes sime, përveç Ebu Hurejres, i cili ishte më i shpejti në pranimin e fesë islame.”
Tufejli vazhdon e thotë: “Shkova te Pejgamberi (a.s) në Mekë bashkë me Ebu Hurejren. Sapo më pa, Pejgamberi (a.s) u gëzua për ardhjen time dhe më pyeti: Çfarë ke, O Tufejl?
Iu përgjigja: Zemra të ngurta dhe mosbesim të madh. Në fisin tim, Devs, ka triumfuar e keqja dhe imoraliteti.
Pejgamberi (a.s) u çua, mori abdest, u fal dhe i ngriti duart lart nga qielli. Ebu Hurejre tregon: “Kur e pashë ashtu, më hyri frika se mos do të mallkonte popullin tim e do të shkatërrohej dhe thashë: “Medet për popullin tim!”. Mirëpo, Pejgamberi (a.s) filloi t’i lutej Allahut me këto fjalë: “O Zoti im, udhëzoje Devsin! O Zoti im, udhëzoje Devsin! O Zoti im, udhëzoje Devsin!”. Pastaj u kthye nga Tufejli dhe tha: “Kthehu te populli yt, sillu butë me ta dhe thirri ata në fenë islame!”
Kur isha në mesin e fisit Devs, duke i thirrur ata në fenë islame, Pejgamberi (a.s) u shpërngul në Medine. Ndërkohë, ndodhi lufta e Bedrit, Uhudit dhe e Hendekut. Një ditë prej ditësh, shkova te Pejgamberi (a.s), me mua ishin tetëdhjetë shtëpi të fisit Devs, të cilat kishin pranuar fenë islame. Kjo e gëzoi pa masë Pejgamberin (a.s) dhe na dhuroi një pjesë nga preja e luftës së Hajberit, kurse ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Na cakto krahun tënd të djathtë në çdo luftë dhe le të jetë shenja jonë “mebrur”.”
Tufejli vazhdon rrëfimin e tij: “Rrija vazhdimisht me Pejgambern (a.s) deri në çlirimin e Mekës. Një ditë i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Më dërgo te Dhul- keffejni, idhull i Amër ibnu Hameme, që ta djeg.”
Pejgamberi (a.s) e lejoi atë dhe shkoi tek idhulli në krye të një çete të popullit të vet. Sapo arriti te idhulli dhe deshi t’ia vinte zjarrin, rreth tij u mblodhën gratë, burrat dhe fëmijët. E vëzhgonin dhe pritnin nëse do të binte rrufeja, kur ai t’i bënte dëm Dhul-keffejnit. Mirëpo, Tufejni, në praninë e adhuruesve të tij, u drejtua nga idhulli dhe nisi të fusë zjarr në brendinë e tij, duke recituar: “O Dhul-keffejn, nuk jam prej adhuruesve të tu! Lindja jonë është më e vjetër se lindja jote. Unë e ndeza zjarrin në brendinë tënde!”
Me shkatërrimin e idhullit Dhul-keffejn nga zjarri, u shkatërrua çdo gjë që kishte mbetur nga mosbesimi në fisin Devs dhe i tërë populli pranoi fenë islame.
Pas kësaj ngjarjeje, Tufejl ibnu Amr Ed-devsij mbeti me Pejgamberin (a.s), derisa ndërroi jetë. Pas vdekjes se Pejgamberit (a.s) dhe me kalimin e Kalifatit në duart e Ebu Bekr Es-sidikut, Tufejli me gjithë të birin ishte në shërbim të kalifit të Pejgamberit (a.s).
Sapo filluan luftërat kundër kundërshtarëve të fesë isalme, Tufejli u mobilizua së bashku me të birin, Amrin, në krye të ushtrisë së muslimanëve, në luftë kundër Musejleme el-Kedhabit. Gjatë rrugës së tij për në Jemen, pa një ëndërr, të cilën ua tregoi shokëve të vet dhe u tha: “Unë kam parë një ëndërr. Cili prej jush mund të ma shpjegojë domethënien e saj?”
Shokët e pyetën: “Çfarë ke parë?”
Tufejli u përgjigj: “Pashë se i kisha qethur flokët, një zog doli prej gojës sime, një grua më futi në barkun saj dhe se djali im, Amri, filloi të më kërkojë me të shpejtë, mirëpo, diçka e pengoi që të më afrohej.”
Shokët i thanë: “Dhëntë Zoti e të jetë e mirë!”
Tufejli iu tha: “Betohem në Allahun, sa më përket mua, unë e kam shpjeguar atë:
Për sa i përket qethjes së flokëve të mi, kjo do të thotë se mua do të më pritet koka, ndërsa shpendi që doli prej gojës sime, ai është shpirti im. Kurse gruaja që më futi në barkun e saj, simbolizon tokën, në brendësinë e së cilës do të varrosem. Dëshira ime e përhershme është që të vdes shehid. Ndërsa kërkesa e birit tim dhe nxitimi i tij pas meje, do të thotë se edhe ai do të kërkojë të bjerë shehid sikurse unë, me lejen e Zotit (xh.sh), por ai do ta arrijë këtë më vonë.”
Në luftën e Jemames, sahabi i ndershëm, Tufejl ibnu Amr Ed-devsij, tregoi trimëri të rrallë, derisa ra shehid në fushën e betejës. Ndërsa i biri i tij, Amri, vazhdoi të luftonte, derisa e lodhën plagët dhe iu pre dora e djathtë. Pas mbarimit të betejës, u kthye në Medine, duke lënë në fushë të betejës babanë dhe dorën e vet.
Në kohën e sundimit të Omer ibnul Hatabit, Amri shkoi një herë për vizitë tek ai. Të gjithë njerëzit që ndodheshin atje u ulën në sofër. Kur u soll ushqimi, Amri u largua. Omeri e vuri re mungesën e tij dhe e pyeti: “Çfarë ke o Amër? Ndoshta nuk deshe të uleshe se mos turpëroheshe prej dorës tënde?”
Amri iu përgjigj: “Po, o sundues i besimtarëve!”
Omeri, atëherë ia ktheu: “Betohem në Allahun se nuk do ta kërkoj këtë ushqim, derisa ti mos ta përziesh me dorën tënde të prerë. Betohem në Allahun se nuk është asnjeri në mesin tonë që të ketë një pjesë të tij në xhenet, përveç teje, duke aluduar për dorën e tij.”
Ëndrra e rënies shehid i dilte para syve vazhdimisht, që nga koha kur ishte ndarë prej babait. Kur u zhvillua lufta e Jermukut, Amri mori pjesë bashkë me të tjerët. Në betejë e sipër, në kulmin e luftës, ai ra shehid. Këtë ia kishte paralajmëruar babai i tij, disa vjet më parë.
Allahu e mëshiroftë Tufejl ibnu Amrin. Ai është shehid dhe baba shehidi.