Çdo udhëheqës, i cili udhëheq një popull dhe e tradhton popullin e tij, Zoti atij ia ndalon të hyjë në xhenet.” Muhamedi (s.a.v.s)
Besimi është shkolla më e mirë, institucioni më i bekuar që gjendet i ngulitur në cilësitë më të mira të moralit të njerëzve dhe është i hapur për çdo njeri, nga i riu deri te plaku. Imazhin që administratori ia paraqet vetes, duke kultivuar besim tek të tjerët e sidomos tek partnerët e punës, kolegët e vet, në mënyrë direkte ndikon në suksesi e tij, pasi besimi s’ka dyshim, se përbën njërin nga indikacionet e vërteta se administratori ka karakter të mirë.
Administratori besimin ndaj të tjerëve duhet ta shfrytëzojë në mënyrë reciproke dhe permanente, por në masë të nevojshme, që do të thotë se me besim të tepruar shpeshherë mundë të biem në grackë. Në anën tjetër, në qoftëse ekziston besim i vakët mund t’i zvogëlojmë aktivitetet tona dhe t’i ngurtësojmë marrëdhëniet me të tjerët.
Administratori parimisht duhet të ngërthejë në vete dy lloje të besimit. E para, besimi në vetvete, çka do të thotë se njohuritë profesionale dhe zbatimi i tyre në praktikë varen nga besimi në vetveten, e kundërta është dyshimi në vete, që manifestohet përmes neglizhencës dhe joproduktivitetit në aktivitet. E dyta, besimi tek të tjerët, qoftë tek pala, por më e rëndësishmja është besimi tek kolegët e punës. Besimi është një faktor shumë i rëndësishëm, por duhet të jemi të kujdesshëm që të mos keqpërdoret besimi ynë. Së pari duhen njohur kolegët dhe temperamenti i tyre, duke pasur rezerva tek ata të dyshimtët, për të mos u kthyer besimi në dyshim. Me fjalë të tjera, administratori i mirë e mat impulsin e kolegëve që të përcaktojë mënyrën e veprimit, sepse besimi është i shkallëzuar dhe i takon çdokujt me përqindje.
Vështirësia e administratorit çdoherë është të fituarit e besimit te të tjerët, posaçërisht te kolegët. Raportet reciproke dhe sjelljet e tij janë shkaktarë për uljen dhe ngritjen e kredibilitetit të administratorit karshi kolegëve dhe të tjerëve. Për këtë arsye themi se sjellja e tij komunikative, njerëzore, morali i mirë dhe drejtësia janë medikamente të besimit, duke pasur parasysh çdoherë interesimin e mirë për të tjerët si dhe angazhimin për cilësinë e punës që ai bën.
Puna në veprimtarinë administrative është shoqërore dhe mjaft e ndërlikuar. Në të janë të pranishme edhe mashtrimet ose provokimet e ndryshme nga kolegët dhe mund të biem në pozitë të palakmueshme.. Politika që duhet luajtur nga administratori duhet të jetë e tillë që të mos dëmtojë askënd, duke absorbuar bindje se vërtet kemi ambicie për sjellje të mirë. Duhet pasur parasysh se sulmet dhe mashtrimet mund të jenë në mënyrë zinxhirore dhe për këtë duhet patur masë imunitare dhe lojë adekuate për mospërsëritjen e tyre. Në këtë kontekst me rëndësi janë fjalët në vijim: “Për mashtrimin e parë fajtor është ai që mashtron, për të dytin, që të dy (ai që mashtron dhe ai që beson); për të tretin, vetëm ai që beson”.
Besnikëria është ana tjetër e medaljes, vyrtit i administratorit adekuat. Muhamed Gazaliu, me plot të drejtë thotë se: “Prej kuptimeve të besnikërisë është vënia e çdo sendi në vendin që meriton. Kështu, post i jepet vetëm njeriut që është kompetent për të, funksion i jepet vetëm se njeriut të cilin aftësia e tij e ngre në atë (funksion)”. Është parim i prerë që pozita t’i jepet atij që vërtet e meriton, atij qe ka potencial administrimi dhe shprehi të mira gjatë të administruarit.
Besnikëria si vyrtit i administratorit ndikon edhe vetë në kredibilitetin e organizatës si institucion, sidomos në ato administrative pasi funksioni i tij është shoqëror, sferë ku frekuentimi i njerëzve është i madh. Interesi personal nuk duhet të nxirret para atij shoqëror sepse njeriu që bën një gjë të tillë bie ndesh me funksionin për të cilin është caktuar. Gazaliu më tej shton: “Besueshmëria kërkon që për funksion t’i zgjedhim njerëzit të cilët më së miri e kryejnë atë, e nëse zgjedhim një njeri tjetër, për shkak të epshit, korrupsionit apo afërsisë, atëherë me eliminimin e të aftit kemi bërë tradhti flagrante”. |
|
 |
|